Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla deklaroi  se ligjëratat kundër UÇK-së në shkollat e Kosovës janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj historisë sonë kombëtare dhe sakrificës për liri të popullit shqiptar.

Sipas Ballës, të tentosh ta njollosësh UÇK-në në institucione arsimore është keqinformim i qëllimshëm dhe cenim i rëndë i dinjitetit të dëshmorëve dhe familjeve të tyre. Gjykata Speciale nuk ka mandat të rishkruajë historinë e Kosovës.

“Duhet të përkujtojmë me nderim edhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përpjekjet e ditëve të fundit të disa përfaqësuesve të Gjykatës Speciale, të cilët shfaqen në shkollat e Kosovës, për të interpretuar sipas tyre historinë dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përpjekje që nuk gjenden askund në asnjë vend të botës dhe ju kujtojmë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është nderi i kombit shqiptar, në atë anë të kufirit dhe në këtë anë të kufirit”, deklaroi Balla.

Deklarata e Ballës i bashkohet zemërimit masiv që ka nxitur një leksion i mbajtur në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ku zyrtarë të Gjykatës Speciale, sipas një audioincizimi të publikuar nga media lokale, u kanë shpjeguar nxënësve përmbajtjen e aktakuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo orë mësimi ka nxitur reagime politike për shkak të baltosjes së UÇK-së, mungesës së një perspektive të balancuar dhe mosrespektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë .

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu