Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, duke pretenduar se janë fshehur dy dëbime të gjyqtares Irena Gjoka dhe se këto nuk i janë relatuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, Berisha e cilësoi Prokurorin e Përgjithshëm si “mashtrues”.

Gjatë leximit të relacionit nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme shkeli ligjin dhe nuk relatoi në KLGJ dy dëbimet. Shikoni çfarë mashtruesi është ai Olsi, që i del emri aty ku nuk duhet t’i dalë… Ky nuk ia dërgon KLGJ dëbimet”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, fshehja e këtyre të dhënave përbën shkelje të rëndë ligjore. “Prokuroria e Përgjithshme ka kryer krim sepse ka fshehur dëbimet, fshehja e tyre përbën krim”, deklaroi kreu i demokratëve, duke shtuar se procedura është zvarritur për rreth 22 muaj.

Berisha tha se arsyeja e mosdorëzimit të dokumentacionit u kuptua gjatë leximit të relacionit në KLGJ, ndërsa akuzoi institucionet e drejtësisë për mungesë reagimi. “Janë detyrat e drejtësisë së kapur nga krimi dhe politika, që nuk kanë lidhje me ligjin e Kushtetutën”, tha ai, duke shtuar se edhe Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk u shqetësuan për këtë çështje.

Ai kritikoi edhe KLGJ-në, duke theksuar se institucioni nuk e ushtroi kompetencën brenda afateve. Sipas Berishës, pas një zvarritjeje prej 22 muajsh, KLGJ deklaroi se nuk ishte organi kompetent dhe se çështja i takonte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), por pa e dërguar dosjen për shqyrtim.

Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme politike lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për këto akuza.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu