
Një çift bashkëjetuesish është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se mashtronin qytetarët duke u prezantuar si agjentë imobiliarë dhe duke u marrë shuma të mëdha parash me premtimin për blerje apartamentesh.
Në pranga ranë Elvis Ramca, 39 vjeç dhe Veriana Ziu, 34 vjeçe. Sipas hetimeve, ata bindnin qytetarët t’u jepnin para për blerje apartamentesh dhe më pas falsifikonin mandate bankare për të krijuar bindjen se pagesat ishin depozituar.
Dokumentet e falsifikuara u paraqiteshin edhe kompanive të ndërtimit për të lidhur kontrata fiktive shitblerjeje.
Dy raste të dokumentuara, dyshohet për më shumë viktima
Deri tani janë dokumentuar dy raste mashtrimi, ku dyshohet se janë “shitur” dy apartamente me vlerë rreth 150 mijë euro secili. Hetuesit dyshojnë se numri i të dëmtuarve mund të jetë më i madh.
Operacioni policor i koduar “Agjentët e rremë” u finalizua nga specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe strukturat “Shqiponja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.






