21 janar 2011, protesta para kryeministrise

Gazetari Artan Hoxha është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku raportohet se ka dorëzuar audiopërgjimin origjinal që lidhet me ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011.

Prej 15 korrikut 2024, dosja hetimore për vrasjen e katër protestuesve gjatë protestës së 21 janarit ndodhet në duart e prokurorëve të SPAK, pas rihapjes së hetimeve në bazë të vendimeve gjyqësore brenda dhe jashtë vendit.

Rihapja e çështjes u bë e mundur pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila e cilësoi ngjarjen si krim shtetëror, duke i hapur rrugë hetimeve të reja nga SPAK. Procedimi penal u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Hetimet po zhvillohen për tre vepra penale:

  • “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave;
  • “Shpërdorimi i detyrës”, i kryer në bashkëpunim;
  • “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Në fokus të hetimeve të SPAK është vrasja e Aleks Nikës, si dhe plagosja e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, gjatë protestës së 21 janarit 2011.

Dorëzimi i audiopërgjimit origjinal nga gazetari Artan Hoxha konsiderohet një element i rëndësishëm provues në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të përgjegjësive penale për një nga ngjarjet më të rënda në historinë e tranzicionit shqiptar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu