Trento, 15 janar 2026 – Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila rezultonte e zhdukur prej muajit tetor, është gjetur në Itali, në zonën e Trentos.

Sipas mediave italiane, trupi i shqiptares është gjetur rreth 40 kilometra larg banesës së saj, përgjatë lumit Adige. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në fillim të kësaj jave, ndërsa identifikimi nga familjarët është bërë disa ditë më vonë.

Për Floreshën, nënë e dy vajzave, nuk kishte asnjë informacion që prej mëngjesit të 22 tetorit, kur ajo ishte larguar herët nga banesa për të shkuar në punë, por nuk ishte kthyer në orarin e zakonshëm të pasdites.

Burri i saj kishte njoftuar menjëherë autoritetet, ndërsa policia italiane kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi, që përfshinte kontrolle në zona malore dhe ujore, me pjesëmarrjen e zjarrfikësve, zhytësve dhe helikopterëve.

35-vjeçarja punonte si pastruese në disa pallate dhe, sipas mediave, pak kohë para zhdukjes kishte humbur edhe të atin. Ajo ishte larguar nga shtëpia vetëm me telefonin e saj.

“Të gjithë e dinin sa shumë i donte vajzat e saj, nuk do t’i kishte lënë kurrë”, kanë deklaruar familjarë dhe miq të afërt. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkaqet e vdekjes apo rrethanat e sakta të gjetjes së trupit, ndërsa hetimet vijojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu