
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për shtyp se Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, sipas tij, po shkatërrojnë pa ndërprerje prova dhe dokumente që i implikojnë në afera të rënda korruptive me vlerë miliarda euro.
Berisha akuzoi qeverinë për intimidim të punonjësve të administratës publike, të cilët, sipas tij, thirren dhe vihen nën presion për të ndryshuar dëshmitë ose për të mos dëshmuar. Ai deklaroi gjithashtu se po ushtrohet presion i jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Berishës, këto veprime përbëjnë një rrezik serioz për rendin kushtetues dhe drejtësinë në vend, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për “asgjësimin de facto të drejtësisë” dhe një hap drejt “grushtit të shtetit”.
Në këtë kontekst, kreu i PD-së kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si rrezik për qytetarët dhe stabilitetin e vendit. Ai deklaroi se opozita do të vijojë reagimin politik dhe qytetar.
Në përfundim të konferencës për shtyp, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare të thirrur nga opozita më 24 janar, duke e cilësuar atë si një reagim kundër, sipas tij, shkatërrimit të shtetit ligjor.






