Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka hapur zyrtarisht për publikun platformën online të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe”, duke u dhënë të gjithë përdoruesve akses të lirë përmes domenit fjalori.online.

Vendimi për hedhjen online të fjalorit është marrë me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, ndërsa platforma është bërë funksionale duke nisur nga 12 janari 2026.

“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” përbën një nga tre projektet madhore të albanologjisë shqiptare, krahas veprave “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”, të ndërmarra nga Akademia e Shkencave me synimin për të promovuar identitetin kombëtar, historinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.

Vepra është përgatitur nga një ekip shkencor i specializuar, nën drejtimin e akademik Jani Thomai, kryeredaktor, me zëvendëskryeredaktorë akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Sipas Akademisë, faza përfundimtare e projektit parashikon botimin e fjalorit në dhjetë vëllime, i planifikuar për vitin e ardhshëm.

Platforma online është ndërtuar për të qenë e aksesueshme nga të gjitha pajisjet digjitale dhe për të krijuar mundësi ndërveprimi me përdoruesit. Gjatë një periudhe nëntëmujore nga hapja, publiku do të ketë mundësinë të dërgojë mendime, sugjerime dhe plotësime, të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes.

Pas përfundimit të kësaj faze, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik do të përpunojnë sugjerimet brenda një afati tremujor, përpara se projekti të hyjë në fazën përfundimtare të botimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu