
Një 46-vjeçar është arrestuar nga Policia e Peqinit, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur për herë të dytë në të njëjtën banesë, në lagjen “Xhami”, ku kishte hyrë sërish për të marrë sende me vlerë.
Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin A. R., 46 vjeç, banues në të njëjtën lagje, i dënuar më parë për vjedhje, i cili dyshohet se brenda të njëjtës ditë kishte vjedhur nga banesa e shtetases E. T. një armë gjahu dhe disa sende të tjera, përpara se të rikthehej sërish në të njëjtën shtëpi.
Pas njoftimit për vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin organizuan menjëherë veprimet operacionale dhe u drejtuan në adresën e dhënë. Si rezultat, autori u kap në flagrancë brenda banesës, gjatë tentativës së dytë për vjedhje.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 46-vjeçarit një darë, mjet që dyshohet se e përdorte për të kryer vjedhjet. Ndërsa nga kontrolli në banesën e tij u sekuestruan arma e gjahut dhe sendet e vjedhura më herët.
Mjeti i përdorur për vjedhje dhe sendet e sekuestruara u morën në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.






