
Një pamje më e qartë po del mbi atë që Presidenti Donald Trump nënkuptoi kur deklaroi se SHBA do ta “drejtojë” Venezuela pas kapjes së Nicolás Maduro. Sipas zyrtarëve amerikanë, administrata po punon me shpejtësi për të vendosur një qeveri të përkohshme të menaxhueshme, duke i dhënë përparësi stabilitetit administrativ dhe riparimit të infrastrukturës së naftës, përpara çdo procesi të menjëhershëm demokratik.
Burime amerikane thonë se po përdoret një kombinim presioni ushtarak dhe leverdie ekonomike për të ndikuar mbi strukturat e mbetura të regjimit në Karakas. Vëmendja është përqendruar te zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, e cilësuar si alternativë e përkohshme e mundshme për stabilitet, edhe pse SHBA e ka konsideruar më herët regjimin jolegjitim.
Në Uashington, Marco Rubio, Pete Hegseth dhe këshilltarë të tjerë po hartojnë arkitekturën e pas-Maduros. Ndërkohë, Departamentet e Brendshëm dhe Energjisë po punojnë për rikthimin e kompanive amerikane të energjisë në Venezuelë, me synim mbrojtjen e investimeve dhe rikthimin e prodhimit.
“Ky presion, tha Rubio, përfshin bllokadën e cisternave të naftës, me qëllim ndërprerjen e linjës kryesore ekonomike të Karakasit, si dhe praninë e vazhdueshme ushtarake amerikane rreth Venezuelës. Një burim i administratës tha gjithashtu se sanksionet ndaj naftës do të mbeten në fuqi për momentin.
‘Kur presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do ta drejtojnë Venezuelën, kjo do të thotë që udhëheqësit e rinj të Venezuelës duhet të përmbushin kërkesat tona’, përfshirë ndalimin e trafikut të drogës dhe armëve, deklaroi për CNN të dielën në mëngjes kryetari i Komisionit të Inteligjencës në Senat, Tom Cotton.
‘Ne duam që ata të dëbojnë kubanët, iranianët dhe radikalët islamikë, dhe të rikthehen në botën e civilizuar, duke qenë një fqinj i mirë që kontribuon në stabilitet, rend dhe prosperitet’, tha republikani nga Arkansas.
Në prapaskenë, zyrtarët amerikanë janë përqendruar te Rodríguez, të cilën e konsiderojnë si një figurë që mund të ofrojë një tranzicion të qëndrueshëm, një marrëdhënie më profesionale sesa Maduro — dhe, ndoshta më e rëndësishmja, të garantojë mbrojtjen e investimeve të ardhshme amerikane në energji.
Trump lëshoi një kërcënim ndaj Rodríguez-it të dielën, duke thënë në një intervistë për The Atlantic: ‘Nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro.’
Administrata duket se ka hequr dorë nga udhëheqësja e opozitës, María Corina Machado, e cila fitoi këtë vit Çmimin Nobel për Paqen. Disa këshilltarë e kanë paralajmëruar Trump prej muajsh se Machado nuk ishte një zgjedhje e sigurt dhe se ishte e paprovuar në pushtet. Një burim i tha CNN se Trump nuk ishte kurrë plotësisht i bindur për Machado-n, megjithëse kishte biseda të hershme për mënyrën se si mund të dukej vendi nën drejtimin e saj.
Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme të Machado-s për t’i bërë thirrje Trumpit, ai deklaroi të shtunën se asaj i mungonte ‘respekti’ i nevojshëm për të udhëhequr Venezuelën. Në vend të saj, Trump tha se Rodríguez — një anëtare e një regjimi që SHBA e kishte konsideruar më parë të paligjshëm — do të mbante pushtetin në Karakas për aq kohë sa ‘bën atë që ne duam’, duke u zotuar për një raund të dytë sulmesh nëse ajo nuk bindet.”
Trump ka sinjalizuar presion të drejtpërdrejtë ndaj Rodríguez-it, duke paralajmëruar goditje të tjera nëse kërkesat nuk plotësohen. Ai ka hedhur poshtë rolin udhëheqës të opozitares María Corina Machado, duke e konsideruar të papërgatitur për momentin.
Megjithatë, mbeten paqartësi të mëdha: si do të funksionojë një “protektorat” i përkohshëm për një vend me 31 milionë banorë, pa prani diplomatike amerikane në Karakas që prej 2019-s, dhe pa një afat të qartë zgjedhor. Zyrtarët pranojnë se flitet për demokraci, por theksojnë se realitetet afatshkurtra – siguria, nafta dhe stabiliteti – janë prioriteti i menjëhershëm.







