Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Orikum këtë të premte, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.

Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte prej disa vitesh, për të kaluar pushimet në Shqipëri. Edhe pse çifti ishte i ndarë prej kohësh, dyshohet se konfliktet mes tyre kanë vijuar.

Klan News raporton se autori dyshohet ta ketë mbytur gruan, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa pas kryerjes së krimit ka vrarë edhe veten. Çifti ishin prindër të dy djemve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policia e Vlorës dhe grupi hetimor, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupat e pajetë janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa po merren dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt.

Autoritetet po hetojnë pistën e konfliktit familjar si motiv të mundshëm të kësaj ngjarjeje tragjike. Ngjarjet e rënda brenda familjes vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për shoqërinë.

Orikum/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu