
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar Kosovën si shembull demokracie për mbarë shqiptarët, duke theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i çdo kombi. Gjatë një fjalimi publik, Berisha u shpreh se Kosova përfaqëson krenari dhe shpresë, ndërsa e krahasoi drejtpërdrejt me situatën politike në Shqipëri.
“Nuk ka asgjë më thelbësore për një komb sesa zgjedhjet dhe vota e lirë. Shikoni Kosovën – krenari për çdo shqiptar,” deklaroi Berisha, duke shtuar se shteti i Kosovës, ndonëse i shpallur i pavarur vetëm pak vite më parë, po ecën me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian.
Sipas tij, studime të ndryshme tregojnë se Kosova është vetëm 16 vite larg standardeve evropiane të qeverisjes, ndërsa Shqipëria, sipas të njëjtave vlerësime, ndodhet 62 vite larg këtyre standardeve. Berisha theksoi se në Kosovë çdo krizë zgjidhet në përputhje me ligjin dhe përmes proceseve demokratike.
Ai vuri në dukje se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mban “koordinatorë krimi”, por i nxjerr të gjithë para ligjit, pavarësisht përkatësisë etnike. “Kosova nuk mbjell kanabis, përkundrazi ndihmon fermerët të mbjellin grurë,” u shpreh Berisha.
Në krahasim me Shqipërinë, Berisha kritikoi ashpër qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se në Kosovë nuk ekzistojnë sipërmarrje klienteliste dhe se qeveria lufton për transparencë të plotë. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Kosova ka zhvilluar dy palë zgjedhje brenda një viti dhe ka arritur të zgjidhë çdo krizë në mënyrë demokratike.







