
Ndërsa vendet e njohura turistike bëhen më të shtrenjta, alternativa të reja po hyjnë në lojë! Në konsultim me ekspertët e turizmit, ju sugjerojmë disa nga destinacionet më të mira për të udhëtuar në vitin 2026 – të ngjashme me vendpushimet e njohura tradiconale, shkruan Iris Lifshitz-Klieger në një artikull të botuar në revistën izraelite “Ynet news”.
Sipas ekspertëve, ekzistojnë vende të krahasueshme me pikat e njohura turistike – ku mund të shijoni një përvojë të ngjashme por me një kosto shumë më të ulët.
Viti 2026 mund të jetë viti i zgjedhjeve më të zgjuara për udhëtime – me më pak preferencë për destinacionet klasike dhe më shumë kërkime për alternativa që ofrojnë një përvojë të ngjashme dhe me një çmim dukshëm më të ulët.
Pas një periudhe, gjatë të cilës izraelitët u dyndën drejt destinacioneve të njohura – kryesisht për shkak të pasigurisë – një gamë më e gjerë fluturimesh, falë konkurrencës në rritje të linjave ajrore – po rihap hartën drejt destinacioneve të reja dhe të pazbuluara.
Këto vende ofrojnë pushime evropiane ekzotike me një buxhet të përballueshëm.
Në vend të Budapestit – zgjidhni Tiranën, në Shqipëri
Tirana mund të jetë më pak e njohur, por ofron një ndërthurje të mahnitshme të një qyteti të ri evropian, kafeneve në modë, çmimeve të ulëta dhe aksesit të lehtë në natyrë dhe plazheve aty pranë.
Midis 12 dhe 15 korrikut, akomodimi në “Hotel Albanopolis” ka një kosto duke filluar nga 499 dollarë për person.
“Eshet Tours” gjithashtu ofron një paketë pushimi ku përfshihen katër netë qëndrimi në Shqipëri, në korrik në një hotel me katër yje për 492 dollarë për person.
Përveç kësaj, “Eshet Tours” ofron një paketë për pesë netë në Tiranë nga 23 deri në 28 korrik, duke mbuluar fluturimin dhe akomodimin në “Hotel Boutique Arbnor” me katër yje, me mëngjesin e përfshirë, duke filluar nga 490 dollarë për person.
Revista izraelite ka sugjeruar disa destinacione të reja – të cilësuara si më të mirat për të udhëtuar në vitin 2026 – që mund të zëvendësojnë vendpushimet e njohura tradicionale:
•Në vend të Budapestit – Tirana, Shqipëri
•Në vend të Pragës – Bukureshti, Rumani
•Në vend të Mikonos – Batumi, Gjeorgji
•Në vend të Berlinit – Varshava, Poloni
•Në vend të Budapestit ose Romës – Sofje, Bullgari
•Në vend të Tajlandës – Sri Lanka
•Në vend të Amsterdamit – Sllovaki ose Slloveni
•Në vend të Romës ose Selanikut – Baku, Azerbajxhan
Çfarë thotë industria e turizmit?
“TAL Aviation” – kompania lidere e linjave ajrore, udhëtimeve dhe turizmit – tha për “Ynet news” se është shfaqur një trend i ri përpara verës së vitit 2026: Turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa të reja kundrejt destinacioneve tradicionale verore, të nxitur kryesisht nga kostoja e lartë e jetesës dhe rritja e çmimeve në destinacionet e njohura.
Sipas kompanisë, një numër në rritje izraelitësh po zgjedhin destinacione që ofrojnë një përvojë të ngjashme me pikat e njohura turistike por, me një çmim dukshëm më të ulët.
Tali Noy, nënkryetar i strategjisë dhe marketingut në “Issta” tha: “Në epokën aktuale, familjet po kërkojnë përvoja unike përtej destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Qiproja. Po shohim një kërkesë në rritje për udhëtime verore në vende të tilla si, Shqipëria, Uzbekistani, Rumania, Lituania dhe Mali i Zi. Ky trend pasqyron një dëshirë për pushime autentike që kombinojnë natyrën, kulturën dhe historinë, së bashku me çmime të arsyeshme”.
Shirly Cohen Urkabi, nënkryetare në “Eshet Tours” tha se destinacionet që pritet të kryesojnë në vitin e ardhshëm përfshijnë Greqinë, Ballkanin, Malin e Zi, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Evropën Lindore, si dhe Azinë Qendrore, Marokun dhe Kaukazin: Azerbajxhanin, Kirgistanin, Uzbekistanin, Armeninë dhe Gjeorgjinë, së bashku me Lindjen e Largët.
Marrë nga ATSH







