
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer mbrëmjen e sotme një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër elementëve të Islamic State në Nigerinë veriperëndimore. Deklarata u publikua nga Trump në rrjetin e tij social Truth, ku theksoi se operacioni kishte në shënjestër terroristët e ISIS-it që, sipas tij, “kanë synuar dhe vrarë brutalisht, veçanërisht, të krishterë të pafajshëm”.
Trump shtoi se Pentagoni ka kryer “disa goditje perfekte”, duke paralajmëruar se nën drejtimin e tij SHBA nuk do të lejojë që “terrorizmi islamik radikal të lulëzojë”. “I kisha paralajmëruar se do të paguanin ferrin — dhe sonte në Nigeri ndodhi,” shkroi ai, duke mbyllur mesazhin me urime për ushtrinë amerikane dhe Krishtlindjet.
Detaje mbi llojin e operacionit (sulme ajrore apo veprime të tjera ushtarake), bilancin e saktë apo koordinimin me autoritetet lokale nuk janë bërë ende publike. Nga ana e tyre, autoritetet nigeriane nuk kanë reaguar zyrtarisht deri tani.





