
Në mesazhin e tij të parë të Krishtlindjes si Papë, Papa Leone XIV u bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të gjejnë “guximin” për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta dhe për t’i dhënë fund luftës. Gjatë fjalimit tradicional Urbi et Orbi, mbajtur ditën e Krishtlindjes para besimtarëve të mbledhur në Vatikan, Papa theksoi se duhet të pushojë “zhurma e armëve” dhe se palët, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, duhet të angazhohen në dialog “të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm”.
Thirrja e Papës vjen në një kohë kur përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftimeve vazhdojnë, ndërsa negociatat e drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës ende nuk kanë nisur në këtë raund diplomatik.
Në mesazhin e tij, Papa Leone XIV foli edhe për konflikte të tjera në botë, duke dënuar dhunën dhe pasigurinë në rajone të ndryshme, përfshirë përplasjet kufitare mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Ai bëri thirrje për rikthimin e miqësisë dhe punë të përbashkët drejt pajtimit dhe paqes.
Gjatë meshës së mëparshme të Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa ndaloi vëmendjen edhe te vuajtjet e njerëzve të pastrehë dhe popullatave të pambrojtura nga luftërat. Duke iu referuar situatës në Gaza, ai tha se historia e lindjes së Jezusit kujton se Zoti u afrua me njerëzit në brishtësinë e tyre, ndërsa sot kjo pasqyrohet te familjet palestineze që jetojnë në tenda, të ekspozuara ndaj shiut, erës dhe të ftohtit, pas shkatërrimeve nga lufta mes Hamas dhe Izrael.







