
Gjyma e të punësuarve me pagë marrin deri në 52,000 lekë në muaj (63,456 lekë bruto), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për pagën mediane në tremujorin e tretë.
Mediana e pagës është niveli i pagës që ndan punëmarrësit në dy grupe të barabarta, ku 50% e të punësuarve paguhen më pak se kjo vlerë dhe 50% më shumë. Ndryshe nga paga mesatare, e cila llogaritet duke mbledhur të gjitha pagat dhe duke i pjesëtuar me numrin e punonjësve, mediana nuk ndikohet nga pagat shumë të larta ose shumë të ulëta.
Paga mediane është më përfaqësuese për pagën tipike që merr shumica e punonjësve, veçanërisht në ekonomi si e jona ku ekzistojnë diferenca të mëdha mes pagave.
Sipas të dhënave të INSTAT ka një diferencë të fortë mes pagës mediane dhe pagës mesatare. Paga mesatare mujore ishte rreth 83,300 lekë në tremujorin e tretë ose 31% më e lartë se paga mediane.
Sipas tabelës, mediana e pagës mujore bruto ka ndjekur një rritje të qëndrueshme për shkak të rritjes së pagës minimale. Në fillim të vitit 2021 ajo arrinte në 40,605 lekë, duke reflektuar rritje graduale të të ardhurave, por edhe efektet e inflacionit dhe ndryshimeve strukturore në tregun e punës.
Nga viti 2021 në 2022, mediana vijon të rritet nga 40,810 lekë në mbi 46,233 lekë, me një stabilizim të përkohshëm gjatë tremujorëve të vitit 2022. Rritja u bë e dukshme në vitin 2023, ku mediana kalon nga 49,600 lekë në tremujorin e parë, në 52,880 lekë në tremujorin e tretë.
Në vitin 2024, mediana rritet më tej, nga 55,200 lekë në 58,000 lekë, ndërsa në vitin 2025 arrin në mbi 63,000–63,456 lekë, duke treguar një përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave në segmentin e mesëm dhe sidomos në administratën publike.
Nëse paga mesatare rritet për shkak të rritjes së fortë të pagave të një grupi të vogël (p.sh. menaxherë, sektorë të paguar mirë) shumica e punonjësve nuk përfitojnë. Ndërsa rritja e medianës tregon se përfitimet po prekin realisht pjesën qendrore të punonjësve.
Teksa pagat po rriten fuqia blerëse sidomos në qytete është përkeqësuar nga shtrenjtimi i fortë i çmimeve të qirave dhe të ushqimeve. Për herë të parë në vitin 2024 Shqipëria kishte çmimet mesatare për ushqimet më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian./monitor







