
Administrata Trump tërheq gati 30 diplomatë nga poste të larta në ambasada, ndërsa po përpiqet të riformësojë qëndrimin diplomatik të SHBA-së jashtë vendit, me personel që konsiderohet se mbështet plotësisht prioritetet “Amerika e para”.
Shefat e misioneve në të paktën 29 vende u informuan javën e kaluar se mandatet e tyre do të përfundonin në janar, sipas dy zyrtarëve të departamentit të shtetit.
Të gjithë ata kishin marrë postet e tyre në administratën Biden, por i kishin mbijetuar një spastrimi fillestar në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump që synonte kryesisht të emëruarit politikë. Kjo ndryshoi të mërkurën kur ata filluan të merrnin njoftime nga zyrtarët në Uashington DC në lidhje me largimet e tyre të afërta.
Zyrtarët thanë se ata që preken nga ndryshimet nuk do të humbasin vendet e tyre të punës në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington për detyra të tjera nëse dëshirojnë t’i marrin ato.
Departamenti i shtetit i quajti këto ndryshime si një proces standard në çdo administratë. Ai vuri në dukje se një ambasador është një përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejta e presidentit të sigurojë që ai të ketë individë në këto vende që çojnë përpara axhendën Amerika e Para.
Afrika është kontinenti më i prekur nga largimet, me ambasadorë nga 13 vende që po largohen. Ambasadorët do të largohen nga Burundi, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Gaboni, Bregu i Fildishtë, Madagaskari, Mauritiusi, Nigeri, Nigeria, Ruanda, Senegali, Somalia dhe Uganda.
I dyti është rajoni i Azi-Paqësorit, me ndryshime ambasadorësh në gjashtë vende: Fixhi, Laosi, Ishujt Marshall, Papua Guinea e Re, Filipinet dhe Vietnami.
Katër vende në Evropë: Armenia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sllovakia janë të prekura; si dhe nga dy në Lindjen e Mesme: Algjeria dhe Egjipti. Në Azinë Jugore do të largohen ambasadorët e Nepalit dhe Sri Lankës. Gjithashtu do të largohen ambasadorët e SHBA-së në Guatemala dhe Surinami./euronews






