
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, akuzoi mazhorancën se po përpiqet të zvarrisë shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku deri në muajin shkurt.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se me afatet që po vendosen nga Partia Socialiste, çështja po shtyhet qëllimisht, duke i dhënë, sipas tij, kohë të pandehurës për të ndikuar në hetim.
“Me afatet që duan të ecin, kjo çështje shkon deri në shkurt. Deri atëherë, Belinda Balluku ka ngrënë bakllavanë, gjelin e detit dhe ka intimiduar dëshmitarët,” tha Bardhi, duke përdorur ironi për të theksuar rrezikun e zvarritjes së procesit.
Sipas Bardhit, SPAK ka deklaruar qartë se 3 deri në 5 ditë janë të mjaftueshme për t’u njohur me materialet hetimore, ndërsa mazhoranca kërkon shtyrje me javë të tëra. Ai shtoi se opozita ka kërkuar mbledhje urgjente të Kuvendit, madje edhe një seancë të jashtëzakonshme, por mazhoranca nuk e ka pranuar.
“E pandehura nuk mund të ketë më shumë të drejta se çdo deputet tjetër. Në 5 vitet e fundit, raste të ngjashme janë trajtuar brenda 48 deri në 72 orësh. Këtu po krijohet një precedent i rrezikshëm,” u shpreh Bardhi.
Mbledhja e sotme e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit u shty, ndërsa palët nuk arritën dakordësi për datën e radhës, në një kohë kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë në tendera.






