TIRANË – Në Apelin e GJKKO po zhvillohet sot seanca gjyqësore për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe dy vartësit e saj, në kuadër të hetimeve për tenderin e tunelit të Llogarasë. Për Ballukun, Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie, ndërsa për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjylin, dhe Erald Elezin, është caktuar masa “arrest në shtëpi”.

Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se seanca ka nisur dhe se Balluku nuk është e pranishme, por po përfaqësohet nga dy avokatët e saj. Sipas Lalës, prokuroria disponon prova që tregojnë se Balluku ka intimiduar një nga dëshmitarët që ka folur kundër saj gjatë hetimeve të SPAK.

Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë janë paraqitur personalisht në seancë dhe shoqërohen nga avokatët e tyre mbrojtës.

Sipas gazetares, vendimi i sotëm pritet të ketë rëndësi të veçantë, pasi mund të krijojë një precedent të ri. Ajo kujtoi se vendimi për pezullimin nga ushtrimi i funksioneve të Ballukut është ngrirë përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese dhe menjëherë pas kësaj SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për leje për arrestimin e saj. Kjo kërkesë pritet të diskutohet nesër me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë.

Prokurorët argumentojnë se, për shkak të funksioneve të larta që ushtron, Balluku ka mundësi të ndikojë në proces, të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët. Madje, sipas dokumenteve që kanë qarkulluar mes palëve politike dhe një dokumenti të bërë publik nga Gazment Bardhi, SPAK pretendon se nga përgjime telefonike dhe ambientale ka siguruar prova se Balluku ka frikësuar një dëshmitare që ka dhënë deklarime kundër saj gjatë hetimit.

Nga verifikimet e kryera nga News24, rezulton se gruaja që dyshohet se është intimiduar është një nga vartëset e Ballukut dhe gjithashtu e pandehur në çështjen që lidhet me tunelin e Llogarasë.

Seanca e sotme në Apelin e GJKKO pritet të ndiqet me interes të lartë jo vetëm nga drejtësia, por edhe nga politika, për shkak të pasojave që mund të sjellë për raportet mes institucioneve dhe për standardet e vendosjes së masave të sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu