Autoritetet italiane kanë arrestuar fqinjin e Fatos Cenaj, 58 vjeç, i cili u vra më 8 qershor në Fontaniva. Ai dyshohet si vrasës i Cenajt. Arrestimi u bë të shtunën, pas një hetimi të gjatë që kishte nisur menjëherë pas krimit. Fqinji, një punëtor 45-vjeçar, dyshohej për vrasjen që nga muaji korrik, kur në banesën e tij u gjetën materiale për prodhimin artizanal të armëve.

Krimi ndodhi përpara gjashtë muajve, kur Cenaj po udhëtonte me triciklin e tij drejt vendit ku punonte herë pas here. Ai ishte një ish-gardian burgu në pension, që kishte shkuar në vendin fqinj nga Shqipëria tre vite më parë, dhe kishte blerë një shtëpi në Fontaniva. Sipas hetimeve, fqinji, me të cilin kishte konflikte për lehjet “e tepruara” të qenit dhe për kufijtë e tokës përreth, e qëlloi nga afër viktimën.

Autoritetet nuk kanë gjetur armën e krimit, e cila dyshohet se mund të jetë një pistoletë me ajër të kompresuar e modifikuar. Në vendin e ngjarjes, ekspertët e Ris-it të Parmës gjetën gëzhoja që përputheshin me ato të zbuluara më parë në banesën e fqinjit të dyshuar.

Gjatë periudhës gjashtë muajsh pas krimit, i dyshuari nuk ka tentuar të fshihet, por ka vazhduar jetën e tij të përditshme. Ai kishte marrë masa për të mos u identifikuar, duke bërë të padallueshme veten dhe biçikletën e tij e kishte zgjedhur një vend të pambikëqyrur nga kamerat, për të kryer vrasjen.

Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar të gjitha rrethanat e krimit dhe motivin e vrasjes, ndërkohë që arrestimi i fqinjit të dyshuar mund të japë përgjigje për këtë ngjarje tragjike që ka tronditur komunitetin lokal të Fontaniva-s.

Fatos Cenaj njihej si një person i qetë dhe i respektuar në komunitet. /Rai News.it/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu