Mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike u shndërrua në një seri përplasjesh të forta, ku Ervin Salianji u kthye në figurën më konfliktuale të sallës, duke u përplasur fillimisht me Sali Berishën dhe më pas me drejtues të tjerë të PD-së, mes akuzave, kundërakuzave dhe deklaratave që shtuan më shumë zhurmë sesa qartësi politike.

Sipas detajeve të zbardhura nga gazetari Osman Stafa, përplasja mes Berishës dhe Salianjit nisi për rolin e Hysen Kadiut në fushatë. Berisha deklaroi se Kadiu ishte larguar në Shtetet e Bashkuara për fushatë, duke theksuar se i kishte premtuar një vend të sigurt në listë, premtim që nuk u mbajt.

Por Salianji e kundërshtoi menjëherë këtë version, duke këmbëngulur se Kadiu kishte qenë aktiv në terren. Debati u ashpërsua kur Berisha reagoi prerë: “Po gënjen, ai s’ka punuar”, fjalë që ndezën reagimin emocional të ish-deputetit.

“Falë tij jemi 2800 vota para. Fjalën ‘gënjen’ tërhiqe”, iu përgjigj Salianji, duke kërcënuar se do të largohej nga mbledhja nëse Berisha nuk tërhiqej. Një moment që u lexua nga shumë të pranishëm më tepër si shfaqje nervozizmi sesa qëndrim politik.

Në vend që debati të qetësohej, Salianji zgjodhi të akuzojë drejtuesit e PD-së se po “zhvendosin vëmendjen nga skandalet e qeverisë”, ndërkohë që vetë ishte kthyer në epiqendrën e sherrit, duke e devijuar diskutimin nga çdo analizë reale politike.

Situata u rëndua më tej nga ndërhyrja e Bled Himçit, i cili e akuzoi Salianjin për standarde të dyfishta në çështjen e firmave për Avokatin e Popullit, duke e quajtur moralisht të papranueshme që të akuzohen deputetët për firma, kur vetë Salianji kishte qenë iniciatori i mbledhjes së tyre për Endri Shabanin.

“Militanti idealist dhe pazarexhiu nuk mund të qëndrojnë bashkë në PD”, ishte mesazhi i drejtpërdrejtë i Himçit, që e vuri Salianjin në pozicion mbrojtës.

Por përplasjet nuk mbaruan aty. Flamur Noka i drejtoi Salianjit një tjetër akuzë të rëndë, duke thënë se në Elbasan po angazhohej grupi i Suel Çelës për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në Foltoren e Berishës. Përgjigjja e Salianjit ishte e menjëhershme dhe tipike për stilin e tij: “Kjo është idiotësi”.

Megjithatë, edhe në këtë rast, në vend të një sqarimi bindës, Salianji u kthye te akuzat e vjetra, duke kujtuar se vetë Noka kishte qenë i akuzuar më parë për mbledhje firmash nën kërcënim, duke e zhvendosur sërish debatin nga thelbi te përplasja personale.

Ndërsa PD kërkon të rindërtojë besimin dhe organizimin, debati i mbrëmjes tregoi se problemi nuk është vetëm jashtë selisë blu, por edhe brenda saj – aty ku zërat më të lartë nuk po sjellin zgjidhje, por vetëm zhurmë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu