
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një kapitull të ri zhvillimi ekonomik dhe po shndërrohet në një korridor strategjik zhvillimi nga veriu në jug, duke u pozicionuar si një destinacion serioz për investime afatgjata dhe cilësore. Deklarata u bë gjatë pjesëmarrjes në Tirana Economic Forum, një takim që mblodhi sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë nën kujdesin e Delphi Forum.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi forumin si një platformë të nivelit të lartë idesh, takimesh dhe investimesh shpresëdhënëse, duke theksuar se realiteti i Shqipërisë ka ndryshuar ndjeshëm. Sipas tij, vendi nuk shihet më si një cep i largët në hartë, por si një shtet ku reformat janë kthyer në praktikë dhe transformimet maten me rezultate konkrete.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian në kohë rekord, ka dyfishuar PBB-në dhe buxhetin, ndërsa deficiti mbetet në nivelet më të ulëta. Ai përmendi gjithashtu rritjen e fortë të turizmit, modernizimin e infrastrukturës nga portet te hekurudhat, si dhe përshpejtimin e transformimit digjital të shtetit.
Një tjetër tregues i rëndësishëm, sipas Ramës, janë investimet e huaja direkte, të cilat në vitin 2024 arritën vlerën rekord prej 1.58 miliardë eurosh, ndërsa tendenca mbetet pozitive edhe për vitin 2025. “Kapitali nuk zgjedh rastësisht, ai shkon aty ku ka stabilitet, qartësi dhe drejtim, dhe Shqipëria sot i ka të treja,” u shpreh kryeministri.
Rama renditi projektet strategjike që pritet ta konsolidojnë këtë drejtim zhvillimi, nga ndërtimi i aeroporteve dhe porteve të reja, zgjerimi i parqeve energjetike, deri te transformimi i Portit të Durrësit në një nga hub-et më të rëndësishme të Mesdheut. Ai theksoi se qeveria ka krijuar një regjim fiskal konkurrues, përfshirë 0% taksë fitimi për bizneset e vogla deri në vitin 2029, si një nxitje direkte për sipërmarrjen dhe punësimin.
Në raport me të ardhmen, Rama konfirmoi se objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030 është realist dhe i arritshëm, nëse palët i përmbahen kalendarit të dakordësuar. Ai u bëri thirrje investitorëve që të veprojnë tani, duke identifikuar katër shtylla strategjike të dekadës së ardhshme: energjinë e gjelbër, infrastrukturën moderne, turizmin cilësor dhe teknologjinë e inovacionin.
Në përmbyllje, kryeministri theksoi se Shqipëria ofron stabilitet, vizion dhe ambicie europiane, duke ftuar sipërmarrësit vendas dhe të huaj të bëhen pjesë e historisë së re të zhvillimit të vendit.






