
Tregu i qumështit në Itali po përballet me një krizë të fortë, e shkaktuar nga prodhimi i tepruar i Grana Padano-s, që ka sjellë rënie të ndjeshme të çmimeve dhe ka futur në ankth mijëra fermerë.
Në Ministrinë italiane të Bujqësisë është zhvilluar sot një tryezë diskutimi për të gjetur zgjidhje, ndërsa situata në stalla përshkruhet si alarmante. “Nëse do të detyrohemi ta hedhim qumështin, për ne do të ishte fundi”, shprehet Paolo Maccazzola, fermer dhe president i shoqatës bujqësore CIA për Lombardinë.
Pas një rritjeje të fortë gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, kur çmimi i qumështit arriti mbi 63 cent për litër, tregu ka pësuar një rënie të fortë në muajt e fundit. Në gusht, në tregun “spot” çmimi i qumështit ishte afër 70 cent për litër, ndërsa sot ka zbritur nën 50 cent, një rënie prej rreth 30%.
Në origjinë të krizës është prodhimi i lartë i Grana Padano-s, një produkt DOP që përthith rreth një të katërtën e qumështit të prodhuar në Itali. Në fillim të vitit, kërkesa ishte e lartë edhe për shkak të pritshmërive për vendosjen e tarifave doganore nga SHBA-të, çka i shtyu importuesit të rrisnin rezervat dhe prodhuesit të tejkalonin kuotat e lejuara.
Sipas konsorciumit të Grana Padano-s, gjatë vitit 2025 janë prodhuar rreth 700 mijë forma më shumë sesa ishte planifikuar, duke çuar në mbushjen e magazinave dhe në rënien e çmimeve. Për të përballuar situatën, është vendosur që një pjesë e prodhimit të kalojë në kategorinë “formaggio duro italiano”, me vlerë më të ulët tregtare, si dhe të reduktohet prodhimi me rreth 4% gjatë vitit 2026.
Situata është përkeqësuar edhe nga rikthimi i fuqishëm i prodhimit në vendet e tjera evropiane, si Gjermania dhe Franca, si dhe nga rënia e kërkesës ndërkombëtare për produktet italiane të qumështit dhe djathërat.
Fermerët, të cilët kishin përfituar nga çmime të larta në dy vitet e fundit, tani po kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria për shmangien e falimentimeve dhe garantimin e një minimumi qëndrueshmërie për sektorin.
Kriza e Grana Padano-s po nxjerr në pah brishtësinë e zinxhirit agro-ushqimor dhe rrezikon të ketë pasoja të rënda për një nga sektorët më të rëndësishëm të bujqësisë italiane.






