Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan të rishikuar paqeje, në përpjekje për të shmangur çdo marrëveshje që përfshin lëshime territoriale ndaj Rusisë. Lajmi vjen teksa presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur prerazi se Kievi nuk do të dorëzojë asnjë pjesë të territorit të saj.

Zelensky i bëri këto deklarata pas takimeve me liderë evropianë dhe të NATO-s, në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të bindur SHBA-të që të mos mbështesin një marrëveshje paqeje që do ta linte Ukrainën të pambrojtur ndaj një agresioni të ardhshëm rus.

Rusia po këmbëngul që ne të heqim dorë nga territoret, por ne nuk duam të dorëzojmë asgjë. Nuk kemi të drejtë ligjore ta bëjmë këtë, sipas ligjit ukrainas, Kushtetutës dhe së drejtës ndërkombëtare. Dhe nuk kemi as të drejtë morale”, u shpreh Zelensky.

Sipas tij, çdo ndryshim i kufijve të Ukrainës mund të vendoset vetëm përmes një referendumi popullor.

Version i ri i planit të paqes

Presidenti ukrainas bëri të ditur se një draft i ri i planit të paqes mund t’u dërgohet autoriteteve amerikane që të martën. Sipas mediave ukrainase, plani fillestar prej 28 pikash, i konsideruar nga Kievi dhe vendet evropiane si tepër i favorshëm për Rusinë, është reduktuar në 20 pika.

Zelensky tha se asnjë pikë “pro-Ukrainë” nuk është hequr nga plani i rishikuar, ndërsa çështja e territoreve mbetet një nga pikat më të ndjeshme. Ai veçoi rajonin lindor të Donbasit dhe termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias si temat më delikate të negociatave.

Situata në terren

Ndërkohë, luftimet në vijën e frontit vazhdojnë. Qyteti Sumy, në veriperëndim të Ukrainës, mbeti gjatë natës pa energji elektrike pas një sulmi me dronë nga Rusia. Guvernatori rajonal bëri të ditur se më shumë se një duzinë dronësh goditën infrastrukturën energjetike dhe autoritetet po verifikojnë nëse ka viktima.

Në rajonin e Ternopilit, bilanci i viktimave nga një prej sulmeve më vdekjeprurëse ruse të muajit të kaluar është rritur në 38 persona, mes tyre tetë fëmijë, pasi janë gjetur edhe dy trupa të tjerë.

Nga ana tjetër, Rusia ka pretenduar se forcat e saj po avancojnë në lindje dhe se kanë marrë nën kontroll qytetin Pokrovsk, një pikë strategjike në Donbas. Ukraina e ka mohuar këtë pretendim, duke deklaruar se luftimet në qytet vazhdojnë.

Presioni diplomatik dhe roli i SHBA-ve

Këto zhvillime vijnë pas një serie bisedimesh intensive mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas, të cilat nuk kanë prodhuar një marrëveshje të pranueshme për Kievin. Zelensky pritet të informohet nga shefi i negociatorëve ukrainas, Rustem Umerov, për detajet e kontakteve direkte mes SHBA-ve dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Një samit i organizuar me urgjencë në Londër, ku morën pjesë Zelensky, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, u pa gjerësisht si një sinjal mbështetjeje për Ukrainën përballë presionit amerikan.

Udhëheqësit evropianë kanë ritheksuar se çdo marrëveshje duhet të çojë në një “paqë të drejtë dhe të qëndrueshme”, e shoqëruar me garanci të forta sigurie për Ukrainën.

Në këtë kuadër, diskutimet për një koalicion ndërkombëtar që do të ofronte mbështetje ushtarake afatgjatë për Kievin po vazhdojnë, megjithëse ende nuk ka qartësi për rolin konkret të SHBA-ve në një skenar të tillë.

Zelensky pritet të vijojë turneun e tij diplomatik me takime në Bruksel me drejtuesit e NATO-s dhe BE-së, si dhe një vizitë në Itali, në përpjekje për të forcuar frontin mbështetës të Ukrainës në negociatat për paqen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu