Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me vendimin e pezullimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke publikuar në rrjetin X shembuj konkretë që sipas tij tregojnë pasojat reale të këtij vendimi.

Rama deklaron se nga tryeza e tij e punës ka vënë re disa procese të rëndësishme shtetërore që aktualisht janë të bllokuara, për shkak se kompetencat e ministrit janë ekskluzive dhe nuk mund të delegohen. Ai e cilëson këtë situatë si “absurde”, duke rikujtuar kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese për heqjen e pezullimit.

Fluturimet transoqeanike Shqipëri–Kanada, në rrezik pezullimi

Sipas Kryeministrit, janë mbyllur diskutimet teknike me palën kanadeze dhe është marrë një kthim pozitiv për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për nisjen e fluturimeve transoqeanike mes dy vendeve.

Por procedura nuk mund të vijojë:

“Kushtetuta ia jep ministrit autoritetin ekskluziv për hapat e miratimit dhe nënshkrimit. Kompetencat nuk mund të delegohen. Pezullimi vendos një pikëpyetje të madhe mbi nisjen e fluturimeve në qershor 2026,” – shkruan Rama.

36 akte të bllokuara, mes tyre 18 për rindërtimin

Kreu i qeverisë shton se aktualisht janë 36 akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që nuk mund të ecin përpara për shkak të pezullimit, ndër to 18 akte të programit të rindërtimit.

“Çdo ditë që pezullimi zgjatet, rritet lista e punëve të bllokuara,” – thekson Rama.

Ai e cilëson këtë vendim të drejtësisë si të paprecedentë globalisht dhe me pasoja direkte për funksionimin e qeverisë dhe interesin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu