
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka pranuar shqyrtimin e ankimit të qeverisë për pezullimin nga detyra të ish-ministres Belinda Balluku, vendim i dhënë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Pas këtij hapi procedural, çështja i kalon trupës prej tetë gjyqtarësh të Kushtetueses, të cilët do të vendosin nëse Balluku do të mbetet e pezulluar apo do të rikthehet në detyrë.
Sipas raportimit të gazetares së News24, Klodiana Lala, “filtri i parë” ka kaluar me pranimin e ankimit, ndërsa për të zhvilluar mbledhjen, gjyqtarët duhet të jenë njohur me aktet e dosjes të paktën 48 orë përpara — një praktikë që është aplikuar edhe në raste të mëparshme.
Nëse sot do të ketë një vendimmarrje, ajo pritet të shpallet para orës 17:00.
Seanca mund të zhvillohet mbi bazë dokumentesh, me paraqitjen e pretendimeve nga palët, ose me një seancë plenare publike ku palët përballen në sallë.
“Thelbi është një: a do të mblidhet sot mbledhja e gjyqtarëve?”, theksoi Lala, duke nënvizuar se dinamika e ditës do të diktojë nëse vendimi do të jepet menjëherë apo do të shtyhet.
–




