Erzen Uka, i arrestuar gjatë aksionit të forcave RENEA në Fushë-Arrëz, është paraqitur mëngjesin e sotëm në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës për mjekimin e një plage në këmbë.

Pas vetëdorëzimit, autoritetet konstatuan se Uka ishte i plagosur dhe, nën masa të rrepta sigurie, ai u shoqërua drejt spitalit për trajtim mjekësor.

Ndërkohë, si Uka, ashtu edhe Julian Çumraku vijojnë të qëndrojnë në paraburgimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në pritje të seancës gjyqësore. Deri tani, të dy të arrestuarit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë përpara grupit hetimor.

Në banesën ku ndodheshin Hamza Erzen Uka dhe Julian Cumraku u gjetën 5 armë zjarri, të vendosura në mur, bashkë me një flamur me logon e ISIS, municion luftarak, granata dore, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Uka dhe Çumraku nuk iu bindën thirrjeve për dorëzim nga policia, madje edhe qëlluan me armë në drejtim të tyre.

Ishin fillimisht shërbimet e komisariatit të policisë së Pukës, që gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, konstatuan një person i cili, sapo ka parë efektivët është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur. Edhe pse ata i kanë kërkuar që të dilte nga banesa, ai nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe ka kërcënuar efektivët.

Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e tij, efektivët rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara.

Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale RENEA, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” Shkodër.

Në momentin që specialet e RENEA-s i kanë bërë thirrje personit të dalë, nga brenda banesës është qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu.

Më në fund pas 12 orësh në rrethim, dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan. /vizionplus.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu