Një operacion i gjerë policor është zhvilluar të martën në mëngjes në Belgjikë, ku 18 bastisje janë kryer në kuadër të hetimit për kërcënimet me vdekje ndaj prokurorit të Brukselit, Julien Moinil. Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Federale për gazetën Le Soir.

Bastisjet u kryen kryesisht në Bruksel, por edhe në Louvain. Tetë persona janë vënë në pranga dhe po merren në pyetje. Më pas, gjyqtari i çështjes do të vendosë për qëndrimin e tyre në paraburgim.

Hetimet nisën në korrik 2025, kur Policia Gjyqësore Federale informoi Prokurorinë Federale për një komplot të mundshëm për atentat ndaj prokurorit Moinil. Të dyshuarit kryesorë kanë të kaluar kriminale të lidhura me trafikun e organizuar të drogës. Ata dyshohet se janë aktivë brenda rrjeteve kriminale shqiptare. Rasti është konsideruar një kërcënim shumë serioz nga të gjitha shërbimet e sigurisë.

Moinil ndodhet nën mbrojtje të nivelit maksimal që nga fillimi i korrikut, pasi ndaj tij rezultojnë disa kërcënime, jo vetëm ky komplot.

Prokuroria federale thekson se ende nuk mund të konfirmojë apo mohojë përfundimisht skemën e atentatit, pasi hetimet vazhdojnë dhe informacionet janë duke u thelluar.

Prokurorja federale Ann Fransen deklaroi se kjo çështje tregon nevojën absolute për më shumë mbrojtje për policët dhe prokurorët që luftojnë kriminalitetin e organizuar dhe që për këtë arsye janë objektiv i këtyre organizatave. Ministri i Drejtësisë ka ngritur një grup pune që po përgatit ndryshime ligjore për forcimin e mbrojtjes së zyrtarëve të drejtësisë dhe rendit.

Sipas burimeve të Le Soir, klani që dyshohet për kërcënimet lidhet me rrethin kriminal shqiptar, i cili më herët kishte vendosur edhe shpërblim për kokën e prokurorit Moinil./LE Soir

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu