
Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve të votojnë për publikimin e të gjitha dokumenteve që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuar për abuzim seksual me të mitur, Jeffrey Epstein.
Në një postim të bërë të dielën në mbrëmje, Trump shkroi se republikanët duhet të mbështesin hapjen totale të dosjeve “sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”.
Ky qëndrim shënon një ndryshim të dukshëm nga pozicioni i tij i mëparshëm, teksa demokratët kanë publikuar gradualisht dokumente nga hetimet rreth Epstein-it. Disa prej tyre përmendin edhe emrin e Trump, i cili ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me abuzimet seksuale dhe trafikun e të miturve.
Republikanët gati të thyejnë rreshtimin
Sipas raportimeve nga Reuters, dhjetëra republikanë kanë sinjalizuar se janë të gatshëm të votojnë pro projektligjit që do ta detyronte qeverinë federale të publikojë të gjitha dokumentet dhe të dhënat që zotëron për Epstein-in dhe hetimet penale ndaj tij.
Mbështetësit e nismës thonë se votat janë të mjaftueshme që projektligji të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve këtë javë. E paqartë mbetet fati i tij në Senat, ku kërkohet miratimi i dhomës së dytë të Kongresit amerikan.
Trump: “Demokratët po e përdorin për të devijuar vëmendjen”
Epstein vdiq në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019, një vdekje e cilësuar nga mjekësia ligjore si vetëvrasje. Ai po priste gjykimin për akuza të trafikut seksual, ndërsa më herët ishte dënuar për shfrytëzim të prostitucionit të një të miture në vitin 2008.
Teksa demokratët vazhdojnë të publikojnë dokumente, Trump e ka cilësuar këtë si një “hoax të udhëhequr nga demokratët”, me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga prioritetet e tij të tanishme.
Në platformën e tij Truth Social, ai shkroi:
“Departamenti i Drejtësisë ka dorëzuar dhjetëra mijëra faqe mbi ‘Epstein’-in… Dhomës së Mbikëqyrjes i jepet çdo gjë që i takon ligjërisht. Nuk më intereson!”.
Ai shtoi gjithashtu se republikanët duhet të “kthehen te temat kryesore”.
Kryetari republikan i Dhomës: Trump ka duart e pastra
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, mbështeti thirrjen e Trump, duke thënë në një intervistë për Fox News se shpërndarja e dosjeve të Epstein është pjesë e strategjisë politike të demokratëve.
“Trump ka duart e pastra. Nuk ka arsye të shqetësohet. Demokratët po e përdorin këtë si lojën e tyre të radhës”, tha Johnson.
Çështja e dosjeve të Epstein-it pritet të jetë një nga debatet më të nxehta të javës në Kongresin amerikan, teksa presioni publik dhe politik po rritet për transparencë të plotë.







