
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar ashpër pas publikimit të formularit të deklarimit të pasurisë së Kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij për vitin 2024, duke ngritur disa pikëpyetje mbi burimin e të ardhurave dhe ritmin e shlyerjes së detyrimeve financiare të familjes kryeministrore.
Sipas deklarimit të dorëzuar në ILDKPKI më 31 mars 2025, Kryeministri Rama ka raportuar 36.7 mijë euro të ardhura nga paga, rreth 9.2 mijë euro më shumë se një vit më parë, si dhe 71 mijë euro të ardhura të tjera, duke çuar totalin në 108 mijë euro në vit, ose rreth 9 mijë euro në muaj.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 90 mijë euro të ardhura nga aktivitetet e saj në tregun e pasurive të paluajtshme.
Shlyerja e kredisë 229 mijë euro brenda vitit – pyetja që ngre PD
Vangjeli thekson se një nga elementet më të diskutueshme lidhet me pasurinë e blerë nga bashkëshortja e Kryeministrit në vitin 2023, me vlerë 429 mijë euro, për të cilën ajo kishte shlyer fillimisht 200 mijë euro, ndërsa 229 mijë euro ishin deklaruar për t’u paguar gjatë vitit 2024.
Në deklarimin e ri të pasurisë, zonja Rama raporton se detyrimi është shlyer plotësisht, duke përfshirë edhe marrjen e një kredie prej 200 mijë euro në qershor 2024. Vangjeli ngre pikëpyetjen se si është arritur të përmbyllet shlyerja e kësaj shumë të konsiderueshme brenda disa muajsh.
Blerja e një pasurie të re në 2024 – 107 mijë euro
Përveç shlyerjes së kredisë, zonja Rama ka deklaruar gjatë vitit 2024 edhe blerjen e një pasurie të re të paluajtshme, me sipërfaqe 118 m², kundrejt vlerës 107 mijë euro, ose rreth 910 euro për metër katror.
Sipas llogaritjeve të PD, vetëm për vitin 2024, blerjet e pasurive të paluajtshme arrijnë në 336 mijë euro, një shumë që për Vangjelin kontraston fort me të ardhurat mesatare të qytetarëve shqiptarë.
Pasuritë në total – katër prona dhe mbi 9 mijë m² tokë
Sipas vetëdeklarimit zyrtar, bashkëshortja e Kryeministrit rezulton pronare e:
- një apartamenti 146 m²,
- gjysmës së vilës në Surrel (490 m² ndërtesë dhe 8390 m² tokë),
- një pasurie të blerë në 2023 (107.33 m²),
- një pasurie të blerë në 2024 (118 m²),
- si dhe 9570 m² tokë në pronësi 100%.
Vangjeli thekson se çmimet e deklaruara – tokë me 310 euro/m² apo pasuri të reja me 910 euro/m² – janë të paarritshme për qytetarët mesatarë, por “për familjen e Kryeministrit, pasuria vazhdon të rritet çdo vit”.
Ajo e mbyll deklaratën duke nënvizuar se ndërsa shumë shqiptarë largohen nga vendi për shkak të pagave të ulëta dhe vështirësive ekonomike, “pasuria e familjes kryeministrore vazhdon të zgjerohet me ritme që ngrejnë më shumë pyetje sesa përgjigje”.







