Sot në Romë u zhvillua takimi i parë G2G (Government to Government) me Italinë, një mbledhje e përbashkët e dy qeverive ku u miratuan një sërë marrëveshjesh dypalëshe.

Mbledhja u bashkëdrejtua nga Kryeministri Edi Rama dhe nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

“Sot në Romë”, shkroi kryeministri Edi Rama teksa ndau pamje nga kjo mbledhje.

Mbledhja mes dy qeverive Takimi u zhvillua në Vila Doria Pamphilj, rezidencë historike e shekullit të 17 dhe një nga parqet më të mëdha publike në Romë, ku u mbajtën edhe eventet e tjera të ditës së sotme.

Mbledhja u zhvillua në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve, përmes projekteve të përbashkëta, në fusha si ekonomia, energjia, mbrojtja, infrastruktura, etj.

Kryeministri Rama u shoqërua nga delegacioni me ministra të kabinetit dhe në vijim mori pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje u zhvillua edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.

Gjatë mbledhjes pati dhe takime dypalëshe të ministrave me homologët e tyre.

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë nënshkruan marrëveshje mbi bashkëpunimin strategjik në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrisë së sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimit të migracionit, arsimit, inovacionit, diasporës, transformimit ekonomik dhe rritjes së zgjuar.       /atsh 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu