
Këshilli Bashkiak i Las Vegasit ka miratuar më 5 nëntor një vendim historik që ndalon shitjen e koteleve, këlyshëve, lepujve, kavieve dhe derrkucëve miniaturë në dyqanet e kafshëve brenda kufijve të qytetit.
Ky hap vjen si pjesë e një politike të re për të frenuar “fabrikat e shumimit” dhe për të rritur normat e adoptimit të kafshëve të braktisura.
Sipas rregullores së re, dyqanet e reja nuk mund të shesin më kafshë të ardhura nga shumuesit, por do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë me strehat dhe organizatat e shpëtimit për të ofruar vetëm kafshë për adoptim.
Dyqanet ekzistuese kanë deri në nëntor 2028 për të kaluar përfundimisht në modelin e ri.
Ky vendim vjen pas Clark County dhe North Las Vegas, të cilat kanë miratuar tashmë ndalime të ngjashme. Aktualisht, Henderson mbetet i vetmi qytet i madh në zonën metropolitane të Vegas ku ende lejohet shitja e koteleve dhe këlyshëve nga shumuesit, çka, sipas grupeve të mbrojtjes së kafshëve, mban hapur “rrugën e fabrikave të shumimit” në Nevadën Jugore.
Autoritetet theksojnë se kjo nismë nuk ul numrin e kafshëve shtëpiake, por i orienton familjet drejt adoptimit nga strehat, shpëtimet dhe shumuesit e certifikuar e të përgjegjshëm. Strehat në zonë marrin mijëra kafshë çdo vit dhe synimi i politikës së re është të ulë mbipopullimin dhe të rrisë adoptimet.
Qytetarët nxiten të kontribuojnë duke sterilizuar e kastruar kafshët e tyre dhe duke shmangur blerjet nga shumuesit e palicencuar. “Mos braktisni kurrë një kafshë që nuk e doni më,” kujton administrata lokale.










