
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit: -A. M., 70 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale në vende publike”, pasi dyshohet se në muajin korrik të vitit 2025, ka kryer marrëdhënie seksuale në ambient publik, me shtetasen M. G., 63 vjeçe, e cila u procedua penalisht për veprën penale “Prostitucioni”. Për këtë rast, shërbimet e Policisë kanë bashkëpunuar me gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” dhe me Policinë Bashkiake Shkodër.”
Po seriozisht e keni?! Po vriten njerëz në mes të rrugës. Si në filmat aksion, kriminelët bëjnë xhiro qetësisht, dhe policia… me kulmin e profesionalizmit, çfarë bën?
Shkon merret me dy të moshuar me shumë gjasë jo fort në gjendje të mirë nga shëndeti mendor, përkatësisht 70 e 63 vjeç që kanë bërë akte të pahijshme në publik!
Për të qarë e për të qeshur…kur nuk na shqiten nga sytë pamjet e asaj toge pushkatimi që del në mes të rrugës, në mes të ditës, pranë krenarisë sonë kombëtare të boom-it turistik, aeroportit.
U dashka të aktivizohen:
– Policia e Shkodrës
– Policia Bashkiake
– Gazetarët
– Gjysma e lagjes
për t’i kapur dy të moshuarit 5 muaj pas aktit.
Po nga ana tjetër është lajm i mirë, se na i çau veshët ai Balili që del gjithmonë nëpër televizione e bërtet:
“Çiftet nuk bëjnë seks! Nuk bëjnë seks!”
Dhe kur më në fund bëjnë, shkon policia dhe i arreston.
Ndërkohë atentatorët profesionistë?
Policia s’ka kohë për ata, se janë duke analizuar pozicionin gjeografik të dy pensionistëve dhe duke u marrë me kallashin e gabuar që është nxjerrë në publik.
Jo se janë të justifikueshme. JO!!! Janë të neveritshme por u takojnë strukturave të tjera.
Në Shkodërpalermon sot duket sikur ligji funksionon vetëm për moralin.
Krimi i organizuar? Kur t’i vijë radha.
Atentatorët me kallash? Në drejtim të paditur.
Prostitucioni i dy pleqve? URGJENCË KOMBETARE!







