
Pasditen e sotme, dhjetë ministra të qeverisë shqiptare, së bashku me kryeministrin Edi Rama, do të udhëtojnë drejt Romës, në Itali, ku nesër do të mbahet mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive.
Në orën 11:40 është parashikuar takimi mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni.
Në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët me delegacionet e të dy vendeve.
Rreth orës 14:00 do të firmosen disa marrëveshje dhe memorandume mes Italisë dhe Shqipërisë, në fusha si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.
Sipas mediave italiane, në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, ndërsa infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.
Sa i përket migracionit, mediat në vendin fqinj shkruajnë se “do të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë”.
Ministrat që do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar janë:
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku;
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali;
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari;
Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu;
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu;
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala;
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj;
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja;
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj;
dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni./Euronews







