Gilmando Dani mbeti i vrarë sot, 11 nëntor, në një atentat mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Ai udhëtonte në një makinë si pasagjer, teksa të shtënat nuk kursyen as shoferin duke e lënë të plagosur rëndë.

Gilmando Dani ishte emër i njohur për drejtësinë. Ai njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. Ai ishte konsideruar si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Shullazin.

Dani ishte kontrolluar shpesh për vepra penale. Konkretisht në gusht të vitit 2009 pas vrasjes së 4 efektivëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.

Kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.

Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit. Po kështu, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.


Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate. Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.

Në dhjetor të vitit 2021, Shullazi dhe 4 pjesëtarë të grupit të tij, mes tyre Gilmando Dani, u dënuan me 55 vite burg në total për gjobëvënie nga Gjykata e Apelit. Dani mori personalisht 12 vite heqje lirie. Ata u shpallën fajtorë nga dy shkallët e gjyqësorit, se me anë të kërcënimit i morën biznesmenit Y. B. vlera monetare dhe pronësinë e hotel Vollgës në Durrës, si dhe për kërcënimin e shtetasi J. Z. për një garazh në Tiranë.

Gilmando Dani i kishte shpëtuar më herët edhe dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazi.
Mësohet se ai ishte liruar nga burgu më 6 tetor të vitit 2024 pasi kreu 2/3 dënimit./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu