Në 100-vjetorin e themelimit të Bankës së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama e ka vlerësuar atë si një nga institucionet më të qëndrueshme dhe më të konsoliduara të Republikës. Në fjalën e tij, Rama theksoi se Banka e Shqipërisë përfaqëson standardet që i duhen një vendi për t’u konsideruar pjesë e botës së zhvilluar dhe për të qenë në një linjë me kërkesat e Bashkimit Europian.

“Banka e Shqipërisë është një nga institucionet e Republikës sonë që mund të quhet vërtet institucion, me ato standarde që kërkohen për një vend që synon të jetë pjesë e botës së zhvilluar dhe të tryezës së BE-së,” deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se shumë institucione të tjera ende nuk e kanë arritur këtë nivel pjekurie dhe profesionalizmi. Ai propozoi që historia e konsolidimit të Bankës së Shqipërisë të shërbejë si shembull dhe udhërrëfyes për institucionet e tjera publike që ndodhen ende në proces riorganizimi.

“Nuk është se Banka e Shqipërisë ka histori më të gjatë se institucionet e tjera, por mënyra si është ndërtuar dhe konsoliduar e bën të dallohet,” shtoi ai, duke nënvizuar se pavarësisht vështirësive historike, ky institucion është bërë një model i pavarësisë dhe profesionalizmit.

Rama e cilësoi Bankën e Shqipërisë si “institucionin që na përfaqëson më mirë në arenën ndërkombëtare”, përmes transparencës, pavarësisë dhe menaxhimit profesional të politikës monetare.

Guvernatori Sejko prezanton monedhën për 100-vjetorin

Në të njëjtin aktivitet, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi monedhën përkujtimore të emetuar me rastin e 100-vjetorit të institucionit.

Bëhet fjalë për një monedhë numizmatike 100 lekëshe, e cila nuk do të hidhet në qarkullim, por është prodhuar posaçërisht për këtë event historik.

“Është monedhë numizmatike pa kurs ligjor. Në njërën anë paraqitet një djalë fshatar dhe poeti Asdreni, ndërsa në anën tjetër shënohet simboli i 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë,” sqaroi Sejko.

Guvernatori kujtoi gjithashtu traditën historike të monedhave përkujtimore, që daton që nga viti 1926, kur Banka Kombëtare e Shqipërisë shtypi për herë të parë një monedhë 20 Franga Ar, për të përkujtuar “Paktin e Miqësisë dhe Sigurisë” midis Shqipërisë dhe Italisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu