
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, duke theksuar rëndësinë e sjelljes dhe gjuhës në jetën parlamentare.
“Ka një thënie të urtë, e cila më ka mësuar të kalis durimin dhe sjelljen: ‘Kush di të ruajë gjuhën, di të ruajë nderin.’ Etika parlamentare është themeli i besimit publik ndaj institucioneve demokratike. Debati në Kuvend nuk duhet të jetë arenë fyerjesh, por hapësirë dialogu dhe argumenti. Respekti për fjalën, për të vërtetën dhe për qytetarët që përfaqësojmë është thelbi i një Kuvendi dinjitoz dhe europian,” – shkroi Balla.
Ai nënvizoi se asnjë deputet nuk duhet të vendoset mbi rregullat dhe normat e respektit parlamentar, duke i bërë thirrje për një klimë politike më të qytetëruar.
Sekretariati i Etikës rrëzoi kërkesën e PD-së
Reagimi i Ballës erdhi pas vendimit të Sekretariatit të Etikës, i cili rrëzoi kërkesën e shtatë deputetëve të Partisë Demokratike për ta përjashtuar atë nga punimet e Kuvendit.
Në kërkesën e opozitës argumentohej se në seancën e 6 nëntorit, Balla kishte përdorur “gjuhë fyese dhe kërcënuese” ndaj deputetëve të opozitës, me shprehje si “lehni”, “rraca e këtyre” dhe “gënjeshtar”.
Por Sekretariati vendosi se nuk kishte bazë për përjashtim, pasi neni 65/1 i Rregullores së Kuvendit parashikon që një masë e tillë mund të merret vetëm pasi janë zbatuar më parë masa të tjera disiplinore nga kryetari i Kuvendit.
Vendimi mbylli kështu përkohësisht përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës, e cila vijon të shoqërojë seancat e fundit parlamentare.




