Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ka njoftuar vendimin për ngritjen e “Platformës së Opozitës” para godinës së Kryeministrisë. Sipas tij, kjo nismë do të ketë karakter politik dhe simbolik, me qëllim kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, të cilët i cilësoi si “dyshen më famëzezë të korrupsionit në historinë e Shqipërisë”.

“Platforma para kryeministrisë ka dy qëllime. Së pari, kërkesën ultimative për largimin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Ka njerëz që mendojnë se duhet bërë tek Ministria e Energjitikës, por ajo ndërtesë është dhe e kryeministrit dhe zv/kryeministres. Prandaj aty do të vendosim platformën tonë për të kërkuar largimin e tyre,” – deklaroi Berisha.

Platforma do të vendoset ditë të caktuara

Lideri demokrat sqaroi se platforma do të vendoset në ditë të caktuara, kryesisht ditën e enjtes, ndërsa vendimi për kalendarin e saktë do të përcaktohet nga një grup pune brenda Partisë Demokratike.

“Platforma do të jetë ditë të caktuara, më së shumti ditë të enjtja, por pas mbledhjes u la që ta përcaktojë një grup i caktuar,” – shtoi ai.

Protesta kombëtare në horizont

Në vijim, Berisha paralajmëroi se pas ngritjes së platformës, opozita do të ecë drejt një proteste kombëtare.

“Absolutisht do të shkohet drejt protestës kombëtare, por para së gjithash do të vendosen këto masa dhe pastaj do të kalohen drejt protestës,” – deklaroi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, qëllimi i këtyre veprimeve është të denoncohet korrupsioni dhe abuzimi i qeverisë aktuale, ndërsa opozita synon të rikthejë “zërin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu