
Një video e turbullt që qarkulloi për ditë në rrjetet sociale ndezi panik dhe kuriozitet në Irlandë, pasi shumë qytetarë besuan se në pyjet e Clare County po sillej një luan në liri. Por pas disa ditësh hetimesh, policia zbuloi se “mace e madhe” ishte në fakt… një qen me një qethje shumë kreative të qimeve!
Gjithçka nisi kur John O’Reilly, një punonjës pyjor, mori në telefon një video të dërguar nga një shofer kamioni.
Në pamjet shihej një kafshë me ngjyrë rëre, me “krifë” dhe “bisht me tufë”, që ecte mes pemëve. “Mendova: Zoti im, s’mund të jetë ajo që duket!”, – tha O’Reilly për mediat lokale.

Brenda pak orësh, videoja shpërtheu në WhatsApp dhe rrjetet sociale, duke ndezur teori të çuditshme – që nga arratisja e një luani nga cirku, deri tek mundësia që imazhi ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Pas një jave spekulimesh, policia An Garda Síochána dha versionin zyrtar: “Luani” ishte Mouse, një qen i racës Newfoundland, i përshkruar si “shumë miqësor” dhe me një look të ri pas qethjes.
“Një Newfoundland shumë i bindur me një prerje të re flokësh”, shkroi me humor policia në njoftimin e saj.
Sipas veterinerëve, prerje të tilla nuk rekomandohen për këtë racë, pasi qimet e dyfishta ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës trupore – si në të ftohtë, ashtu edhe në të nxehtë.

Historia që për disa ditë u kthye në “mister kombëtar” përfundoi me të qeshura në rrjet. Një përdorues në Facebook shkroi:
“Më mirë kështu! Të paktën asnjë gjuetar i çmendur s’u nis për të kapur ‘luanin irlandez’!”.
Një tjetër komentoi me humor:
“E dija që dukej si një Newfoundland i rruar – ecën njësoj si ata!”.
Një “luan” që s’kishte aspak dhëmbë
Ngjarja solli ndër mend një rast të vitit 1951, kur një luaneshë e vërtetë kishte shpëtuar nga një shtëpi në Dublin dhe kishte plagosur një adoleshent përpara se të qëllohej nga policia.
Që atëherë, askush s’e kishte menduar se “luanët” do të ktheheshin në pyjet irlandeze — edhe pse këtë herë, vetëm në formën e një qeni me zemër të madhe dhe prerje ekstravagante.





