Nancy Pelosi, figura më e fuqishme femërore në historinë e Kongresit amerikan dhe e vetmja grua që ka mbajtur postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, ka njoftuar se nuk do të kërkojë rizgjedhjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke mbyllur kështu një karrierë që zgjati pothuajse katër dekada.

Në një mesazh emocional drejtuar qytetarëve të San Franciskos, Pelosi, 85 vjeç, tha:

“E kam dashur me të vërtetë shërbimin si zëri juaj në Kongres dhe kam nderuar gjithmonë këngën e Shën Françeskut, ‘Zot, më bëj një instrument të paqes sate’. Prandaj dua që ju, bashkëqytetarët e mi të San Franciskos, ta dini të parët: nuk do të kërkoj rizgjedhjen në Kongres.”

Ajo shtoi se do të kalojë vitin e fundit në detyrë me mirënjohje dhe vendosmëri për t’i shërbyer qytetit që e zgjodhi për gati 40 vjet:

“Me një zemër plot mirënjohje, pres me padurim vitin tim të fundit të shërbimit si përfaqësuese e qytetit që dua. San Francisko, njih fuqinë tënde. Kemi bërë histori. Kemi bërë përparim. Kemi udhëhequr rrugën dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke mbetur pjesëmarrës të plotë në demokracinë tonë.”

Një jetë në shërbim të politikës amerikane

E zgjedhur për herë të parë në vitin 1987, Pelosi bëri histori si gruaja e parë që drejtoi Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2007 – dhe mbetet e vetmja që ka mbajtur ndonjëherë këtë post. Nën drejtimin e saj, Partia Demokrate miratoi Ligjin për Kujdesin Shëndetësor (Obamacare) dhe menaxhoi dy proceset e shkarkimit të ish-presidentit Donald Trump, ku Pelosi ishte në qendër të përballjes.

Në një nga momentet më të famshme të karrierës së saj, ajo gris kopjen e fjalimit të Trump-it për Gjendjen e Bashkimit në vitin 2020, në shenjë proteste ndaj politikave të tij.

Pelosi ka qenë një figure kyçe në bashkëpunimin me presidentët demokratë, përfshirë Barack Obamën dhe Joe Bidenin. Vetëm vitin e kaluar, Biden i dorëzoi Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderin më të lartë civil në SHBA, për kontributin e saj në demokraci dhe të drejtat e grave.

Një trashëgimi e fortë politike

E rritur në një familje me traditë politike në Baltimore, Pelosi e nisi rrugëtimin e saj në një periudhë kur gratë kishin pak hapësirë në politikë. Me kalimin e viteve, ajo u bë strategia më e aftë e demokratëve, duke ruajtur unitetin e partisë dhe duke ndikuar në ndryshimin e profilit politik të SHBA-së.

Në fund të fjalimit të saj, ajo theksoi se ndonëse po largohet nga politika aktive, angazhimi për demokracinë amerikane mbetet i pandryshuar:

“Ne kemi bërë histori, por udhëtimi nuk mbaron këtu. Duhet të vazhdojmë të besojmë në idealet amerikane që na bashkojnë.”

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu