Një specie agresive e milingonës së kuqe të importuar, e njohur për pickimet e dhimbshme dhe aftësinë shkatërruese, ka mbërritur në Europë për herë të parë. Origjina e saj është Amerika Latine, por tani ka pushtuar jugun e Italisë dhe rrezikon të përhapet në të gjithë kontinentin.

Sipas një raporti të CNN, studiuesit konfirmojnë se milingonat e kuqe (Solenopsis invicta), të cilat janë ndër speciet më invazive në botë, janë vendosur në rajonin e Sirakuzës, në Siçili, që prej vitit 2017. Ato janë zbuluar përmes hartëzimit të 88 foleve dhe tashmë konsiderohen “një kërcënim real për biodiversitetin dhe ekonominë”.

“Ka një ndjesi djegieje si zjarr kur të pickon. Emri shkencor ‘invicta’ vjen nga fjala latine për ‘të pathyeshme’,” – shpjegon Lucia Zappalà, profesore e entomologjisë në Universitetin e Katanias.

Këto milingona, që ndërtojnë fole në toka të lagështa dhe të vaditura, kanë aftësi të jashtëzakonshme mbijetese dhe shumimi. Çdo koloni mund të përmbajë deri në 250 mijë individë, me mbretëresha që jetojnë deri në 7 vjet dhe vendosin deri në 2 mijë vezë në ditë.

Në SHBA, ku janë regjistruar për herë të parë në vitet 1930, ato janë përgjegjëse për dëme që arrijnë në 6 miliardë dollarë në vit, përfshirë shkatërrimin e të korrave, dëmtimet ekologjike dhe rastet e lëndimeve te njerëzit.

Në Australi, sipas ekspertëve, milingonat kanë shkaktuar vdekjen e koalave, ndërsa në Kinë kanë ulur prodhimin bujqësor dhe kanë detyruar fermerë të braktisin tokat.

Operacion për zhdukjen në Siçili

Që prej qershorit 2025, qeveria rajonale e Siçilisë ka nisur një program zhdukjeje në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Universitetin e Katanias. Përdoret një kurth ushqimor me përbërës natyralë dhe insekticid, i cili transportohet nga vetë milingonat në fole për të eliminuar kolonitë.

Por shkencëtarët nuk janë optimistë.

“Zhdukja është shumë e vështirë kur përhapja është e gjerë,” – paralajmëron Zappalà.
“Ka ende shpresë që të eliminohen nga Siçilia, por nëse nuk ndalet në kohë, përhapja drejt Italisë kontinentale është pothuajse e pashmangshme.”

Sipas Piero Genovesi, drejtues i grupit të ekspertëve për speciet invazive në IUCN, milingonat e kuqe të zjarrit janë në listën e specieve më të rrezikshme për Bashkimin Europian, dhe të gjitha vendet anëtare kanë detyrim ligjor për t’i raportuar menjëherë rastet.

Rrezik për Europën dhe biodiversitetin

Nëse përhapja në Itali nuk frenohet, të gjitha vendet e Mesdheut mund të jenë në rrezik. Ekspertët paralajmërojnë se kjo është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi speciet e huaja invazive janë përgjegjëse për mbi 60% të zhdukjeve të specieve në botë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ekziston mundësia e parandalimit përmes zbulimit të hershëm dhe veprimit të shpejtë.

“Nëse vendet janë vigjilente dhe reagojnë shpejt, edhe milingona ‘e pathyeshme’ mund të mposhtet,” – përfundon raporti.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu