Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për çështjen e tunelit të Llogarasë. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se kjo është një çështje nën hetim dhe se ndërhyrja e Kuvendit në këtë fazë do të binte ndesh me parimet e pavarësisë së drejtësisë. “Është një çështje nën hetim nga SPAK, dhe në këto kushte ndërhyrja e Kuvendit përmes zhvillimit të një interpelance bie ndesh me parimet e pavarësisë së organit të akuzës. Në përputhje me atributet që kemi, vlerësoj se zhvillimi i interpelancës urgjente të kërkuar është i pamundur për t’u realizuar,” – deklaroi Peleshi.

Gjithashtu, Kuvendi rrëzoi edhe kërkesën e opozitës për mocion me debat lidhur me situatën në Spitalin Onkologjik, të bazuar në raportin e KLSH-së dhe investigime gazetareske. Deputeti demokrat Bardh Spahia akuzoi mazhorancën për shmangie të debatit publik dhe kërkoi reagim urgjent për gjendjen e pacientëve me sëmundje tumorale. “Ky parlament është shndërruar në shtojcë të ekzekutivit, ku debati parlamentar është i ndaluar dhe ku ngrihen vetëm kartonat e mazhorancës,” – tha Spahia. Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, u përgjigj se qeveria ka planifikuar në buxhetin 2026 1 miliard lekë për medikamentet onkologjike dhe fonde shtesë për trajtimin e pacientëve. “Problemet nuk zgjidhen me retorikë politike, por me punë dhe trajtim të barabartë për të gjithë pacientët. Kjo punë ka nisur dhe nuk ka më kthim pas,” – theksoi ministrja Sala.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu