
Këshilli i Ministrave, me firmën e Kryeministrit Edi Rama, ka miratuar një vendim të rëndësishëm që autorizon shoqërinë aksionare shtetërore “KAYO” sh.a. të prodhojë dhe të tregtojë armë, municione, teknologji, pajisje dhe veshje ushtarake, të prodhuara ose të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas vendimit, “KAYO” do të ketë të drejtën të veprojë vetë ose përmes shoqërive të tjera të krijuara prej saj, duke furnizuar me produkte apo shërbime strukturat e sigurisë, organet në varësi të tyre, si dhe shoqëritë shtetërore të krijuara nga këto institucione.
Qëllimi i këtij vendimi është krijimi i një zinxhiri të centralizuar shtetëror për furnizimin me armë dhe pajisje të sigurisë, në përputhje me ligjin nr. 88/2024, që parashikon ngritjen e “KAYO” si shoqëri shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve dhe teknologjive ushtarake.
Sipas rregullave të reja:
- “KAYO” do t’u dërgojë autoriteteve kërkuese listën e produkteve dhe shërbimeve që ofron çdo 6 muaj;
- Të gjitha strukturat e sigurisë, që kanë nevojë për furnizim me produkte ushtarake, janë të detyruara t’i drejtohen fillimisht kësaj shoqërie;
- Nëse “KAYO” nuk mund të plotësojë kërkesën ose nuk përgjigjet brenda 30 ditëve, institucionet do të mund të vijojnë me procedurat e zakonshme të prokurimit publik.
Vendimi parashikon gjithashtu se, kur “KAYO” është në gjendje të ofrojë produktet apo shërbimet e kërkuara, negociatat do të zhvillohen drejtpërdrejt mes palëve, pa kaluar në tender publik.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në “Fletoren Zyrtare”.







