
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe atyre fetare, si dhe për mbështetjen e veprimtarive të tyre edukative e sociale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla u shpreh se Shqipëria është një shembull unik i bashkëjetesës ndërfetare, ku myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj dhe ungjillorë jetojnë në respekt e harmoni të ndërsjellë.
“Myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj dhe ungjillorë jetojnë në respekt të ndërsjellë, duke ndarë vlera të përbashkëta si paqja, dashuria, solidariteti dhe institucioni i familjes. Kjo harmoni fetare është pasuri kombëtare dhe dëshmi e identitetit tonë europian,” shkruan Balla në postimin e fotos me të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare në vend.
Sipas Ballës, takimi shërbeu gjithashtu për të diskutuar mbështetjen buxhetore për veprimtaritë edukative të komuniteteve fetare, çështjet e pronave të institucioneve fetare, si dhe disa akte ligjore që po shqyrtohen aktualisht në Kuvend.
“Gjithmonë i nderuar të takohem me drejtuesit e komuniteteve fetare, për të diskutuar mbi nevojat për mbështetje nga buxheti i shtetit për veprimtaritë e tyre edukative, çështjet dhe problematikat e pronave të institucioneve fetare dhe mbi disa akte ligjore të cilat po diskutohen në Kuvendin e Shqipërisë. Thellësisht mirënjohës për udhëheqësinë e tyre të mençur. Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Ky takim vjen në vijim të debatit parlamentar mbi projektligjin për barazinë gjinore për të cilin Balla deklaroi në mbledhjen e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme të martën, se amendamentet që po propozonte ishin në përputhje me vlerat e familjes shqiptare dhe burojnë nga traditat dhe librat e shenjtë.
“Më vjen mirë që edhe udhëheqësia e mençur e komuniteteve tona fetare, pasi u njoh me propozimet dhe amendamentet tona, vlerësoi këto formulime që burojnë pikërisht nga kjo traditë familjare,” – theksoi Balla në komision, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet fetare për të ndërtuar ligje që reflektojnë realitetin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare.







