
Shkodër – Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka reaguar pas publikimit në rrjete sociale të një videoje ku shfaqet një qen i tërhequr nga një automjet në fshatin Shtoj i Ri.
Policia njofton se menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kryen veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.
Materialet u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit B. H., 55 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”. Automjeti i përfshirë në incident u sekuestrua si provë materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në 112 ose përmes faqes zyrtare të policisë, duke garantuar anonimatin dhe reagim të paanshëm ndaj shkelësve të ligjit.







