
Pesë persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me grabitjen spektakolare të bizhuterive të çmuara në Muzeun e “Louvre” në Paris, ka bërë të ditur Prokuroria Publike e kryeqytetit francez.
Arrestimet janë kryer mbrëmjen e së mërkurës në rajonin e Parisit, sipas zyrës së prokurores Laure Beccuau. Mes të ndaluarve është edhe një prej të dyshuarve kryesorë për grabitjen e ndodhur më 19 tetor, raportoi agjencia AFP.
Sipas hetuesve, pesë të arrestuarit e rinj lidhen me një grup më të gjerë që mund të ketë marrë pjesë në vjedhjen e kurorave dhe stolitë mbretërore me vlerë rreth 88 milionë euro.
Dy prej të ndaluarve të mëparshëm kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në ngjarje. Megjithatë, bizhuteritë e vjedhura ende nuk janë gjetur, konfirmoi Beccuau për radion RTL.
Autoritetet po kryejnë analiza të ADN-së së njërit prej të arrestuarve, e cila mund të lidhet me gjurmë të gjetura në vendngjarje.
Të arrestuarit mund të mbahen deri në katër ditë në paraburgim përpara se të akuzohen ose të lirohen. Policia franceze dyshon se grupi i përfshirë është më i madh se katër personat e parë që u identifikuan nga kamerat e sigurisë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik francez dhe ka shtuar pyetjet për sigurinë e muzeut më të vizituar në botë, i cili mban disa nga veprat më të njohura të artit në histori.
 
            
 
	