Kryeministri Edi Rama ka lëshuar ultimatum ndaj kryebashkiakëve që deri në fund të muajit të dorëzojnë hartat për “paketën e maleve”, një nismë e qeverisë për zhvillimin ekonomik të zonave malore. Në takimin me drejtues vendorë, Rama kërkoi më shumë angazhim nga bashkitë dhe akuzoi disa prej tyre për vonesa të pajustifikuara, duke përmendur konkretisht drejtuesit e Kukësit, Kuçovës, Dimalit, Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit.

“Saranda ka detin, por ka dhe tokën. Kryetari i bashkisë së Konispolit s’duhet të merret me një zjarrfikës që thotë ‘jo hyr në punë, jo do ikësh’, por me instrumente për të rritur ekonominë atje. Kjo vlen për të gjithë, deri te Benet Beci që ka qenë promotori,” tha Rama, duke shtuar me ironi: “E kemi nisur këtë punë bashkë kur ti s’kishe mjekër. Të dy s’kishim, por tani ty s’të ka ardhur ende harta.”

Kryeministri pranoi se paketa përmban disa “ngarkesa burokratike”, por theksoi se procesi është bllokuar nga mungesa e bashkëpunimit në nivel vendor. “Vonesa është e juaja. Pse nuk e ke dërguar në qeveri? Ku e ke dorëzuar? Ta drejtova pyetjen, jo vetëm ty por edhe atyre që tundin kokën. Nëse pret përgjigje nga ASHK, nuk e ke kuptuar ligjin, nuk e ke kuptuar paketën e maleve,” iu drejtua ai kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Rama kërkoi që bashkitë të përcaktojnë zonat ku do të zbatohet paketa, përveç atyre që janë zona të mbrojtura. “Nuk kemi hartat e zonave të përcaktuara. Ju lutem, përcaktoni zonat, duke përfshirë sa më shumë territore. Vetëm aty ku ligji nuk e lejon, mos përfshini,” tha ai.

Kreu i qeverisë nuk kurseu as batutat ndaj kryebashkiakes së Dimalit, Juliana Mema. “E di që ke kapacitetet e Leninit për të folur me shtatë veta njëherësh, por as ti nuk e ke sjellë hartën,” ironizoi Rama.

Në fund, kryeministri iu drejtua me tone të ashpra edhe kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj: “Më dëgjon ti? Por se di nëse më kupton! Një nga shtysat për këtë paketë kanë qenë kuksianët, që duan të investojnë në vendlindje. Ke pesë muaj në dispozicion të gjitha instrumentet, e ende s’e ke sjellë hartën.”

Sipas Ramës, “si majtas si djathtas, kur shqiptarët flenë gjumë, flenë gjumë”, duke shtuar se deri në fund të muajit pritet që të gjitha bashkitë të kenë dorëzuar hartat për “paketën e maleve”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu