
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, nisi sot fushatën elektorale për kryeqytetin. Binaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e të gjitha partive opozitare, të cilat kanë vendosur të mbështesin aktorin e njohur të humorit në këtë garë kundër PS dhe Ogerta Manastirliut.
“Mesazhi im është që ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive të opozitës, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen pa dallim partie, pa dallime të tjera, sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithë qytetarëve, ky, ky moment”, tha Florjan Binaj.
Binaj shpjegoi se ende nuk ka folur me kryetarin e partisë më të madhe të opozitës, Sali Berishën, por theksoi se ai është gati të takohet me të gjithë drejtuesit e forcave politike.
“Nuk kam folur me zotin Berisha, por dhe kam thënë që në daljet në terren, në fushatë, do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës.”
Florjan Binaj përsëriti se ai është një kandidat i pavarur dhe mbështetja e partive opozitare nuk ndryshon asgjë.
“Unë jam, siç e thashë, jam një kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës. Dhe në qoftë se ju e shihni si si një lloj varësie faktin që mbështetja vjen jo vetëm nga Partia Demokratike por nga të gjitha partitë e tjera, po, jam i varur edhe nga Partia e Lirisë, jam i varur edhe nga Partia Nisma Thurje, edhe nga Shqipëria Bëhet, dhe nga Partia Agrare Ambientaliste, nga të gjitha.”
Në emër të Partisë Demokratike, në takim ishte Ilir Alimehmeti, i cili është caktuar nga PD si koordinator për fushatën për Bashkinë e Tiranës.
/vizionplus.tv