
Një seancë gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit u shoqërua me debate të forta mes avokatit Ulian Bajrami dhe prokurorit Gjergj Ceka. Audioregjistrimi i debatit tregon se Bajrami kishte paralajmëruar ndërmarrjen e veprimeve ligjore kundër prokurorit, duke deklaruar: “Do merrem personalisht me ty”.
Gjyqtarja Megi Strakosha paralajmëroi avokatin për shkelje të procedurës dhe kërcënim në sallën e gjyqit, duke e kërcënuar me përjashtim. Pas seancës, Bajrami u arrestua nga policia.
Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë reagoi duke dënuar arrestimin, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij dhe hetimin e çdo funksionari që mund të ketë keqpërdorur detyrën. Shoqata e konsideron veprimin një shkelje të rëndë të parimeve të shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit, duke cënuar të drejtën për mbrojtje të efektive të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.