
Një shpërthim i fuqishëm në një banesë në Castel D’Azzano, në provincën e Veronës, ka shkaktuar një tragjedi të rëndë. Sipas raportimeve të TG1 Rai, tre karabinierë kanë humbur jetën, ndërsa rreth dhjetë të tjerë – përfshirë ushtarakë dhe agjentë policie – janë plagosur.
Forcat e rendit ndodheshin në vendngjarje për të zbrazur ndërtesën, kur ndodhi shpërthimi që shkaktoi shembjen e godinës, duke zënë poshtë të pranishmit. Në vend kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit.
Sipas burimeve të para hetimore, ndër të plagosurit është edhe një grua, e cila dyshohet se mund të ketë shkaktuar shpërthimin.
Autoritetet italiane po hetojnë rrethanat e ngjarjes që ka tronditur Veronën dhe gjithë Italinë.







