Autoritetet në Filipine dhe Indonezi kanë njoftuar se rreziku i cunamit ka kaluar, pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi mëngjesin e së premtes rajonin juglindor të Azisë.

Qendra e Paralajmërimeve për Cunami në Paqësor (PTWC) në SHBA kishte paralajmëruar më herët për valë deri në 3 metra në brigjet e Filipineve dhe deri në 1 metër në Indonezi dhe Palau.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi evakuimin e zonave bregdetare në provincat jugore dhe qendrore, ndërsa autoritetet në Indonezi konfirmuan se nuk ka raportime për dëme serioze.

Një grua 54-vjeçare humbi jetën në qytetin Mati, pasi mbi të ra një gardh elektrik gjatë tërmetit. Disa ndërtesa dhe rrugë kanë pësuar plasaritje, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa zona të Davao Oriental.

Në ishullin Siargao, i njohur për sportet ujore, aktivitetet detare janë pezulluar përkohësisht. Në Indonezi, nxënësit në Ishujt Talaud janë dërguar në shtëpi për siguri.

Filipinet ndodhen në të ashtuquajturin “Unazë e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Zyrtarë të agjencisë kombëtare të vullkaneve u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e panikut, por të qëndrojnë të përgatitur.

“Duhet të pranojmë realitetin tonë – jemi pjesë e Unazës së Zjarrit, ku tërmetet dhe shpërthimet janë të pashmangshme. Në vend të frikës, duhet të përgatitemi,” – deklaroi Dr. Teresito Bacolol nga agjencia vullkanologjike e Filipineve.

Tërmeti, sipas agjencisë filipinase të sizmologjisë, kishte magnitudë 7.5 dhe u pasua nga një seri pasgoditjesh me fuqi 2.6 deri në 4.9.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu